I Have Slept Through the Millennium, I Have Never Seen the Ocean.

http://www.nguan.tv

A është e pavërtetë ndjesia ku më fut muzika që luhet papritur?

Jo çfarëdolloj muzike, vëmendje: muzika-e-papritur. Ajo që nuk e përzgjedh vetë, por luhet në një shuffle playlist të themi. Mund të jem fare mirë, ama nëse Spotify luan një këngë papritur, vetvetiu imitoj mënyrën e të ndjerit të melodisë, tekstit dhe fillojnë problemet që, në fakt, nuk janë të miat. Ama ndihem sikur gjithë kjo të ishte e vërtetë dhe të buronte nga unë. Pra edhe një herë, ndodh kur vjen papritur, sepse nëse e kam zgjedhur vetë këngën, do të thotë që jam intonuar aty ku dua të shkoj. Vras mendjen nëse ndjesia që më kap është autentike, apo induktohet nga ngjyra që mbart muzika. djesia vjen papritur me muzikën dhe nuk më pyet nëse dua ta ndjek, por më hap derën. Padyshim unë tregoj mirësjellje dhe hyj. Pasi hyj e kuptoj dhe vetë që ndonjëherë bëj pyetje kot. Ndjesia është autentike, është më e vërtetë se çdo gjë tjetër, madje… si nuk e vura re ndjesinë deri para se të ma sillte ndër mend muzika? Çudi. Nëse nuk do të kishte lindur nga muzika, a do të kishte lindur ndonjëherë? Nëse do të kishte lindur vetë, mbase do të ishte më e vërtetë. A është e nevojshme që unë ta përqafoj ndjesinë? Nuk është ndjesi shumë e mirë, por edhe është. Më shpërqëndron nga jeta e vërtetë, por edhe më pëlqen. Dua kohë të kthehem tek çka po bëja. Çdo gjë e humbet synimin nëse muzika më kap papritur, të papërgatitur. Arsyetimi dhe fokusi ndërrojnë trajtë dhe rrjedhin aty ku udhëzon muzika. Dhe më kujtohet se si e humba shansin të përjetoja ndërrimin e mijëvjecarit.

Në vend që të ishte dëshira ime e drejtpërdrejtë, ishte derivat i një filmi. Sot as nuk e kujtoj emrin e filmit që ndikoi listën time të dëshirave dhe që më vonë më mërziti aq shumë. Por tek filmi, dikush dëshironte të shihte ndërrimin e shekullit. Unë mendova se ishte më i veçantë ndërrimi i mijëvjecarit dhe e ktheva në një nga gjërat që doja të përjetoja. Kurrë nuk llogarita kur do të binte ndërrimi dhe nëse do kisha mundësi ta përjetoja në jetë, sepse më dukej dëshirë shumë e veçantë për t’u prishur nga detaje rutinore. Nëse nuk do ndodhte gjatë jetës sime, do shkoja në Kinë dhe do përjetoja ndërrimin e ndonjë kalendari tjetër, ama do të merresha më vonë me këtë. Ndërrimi i mijëvjecarit dukej si fenomen fizik, sikur dicka do të ndodhte në qiell, në det, në fytyrën e shokëve të mi dhe mbi të gjitha tek unë. Ndërrimi i mijëvjecarit do më jepte mundësinë të ndryshoja menjëherë, pas sekondit të parë do isha një njeri tjetër dhe s’kisha as pse të jepja shpjegim për këtë. Imagjino sa u mërzita kur vite më vonë u përmenda se në fakt, ndërrimi kishte ndodhur në 1999 – 2000 dhe unë e pata humbur. Ishte fundviti i parë që kisha fjetur herët. Gjithë familja ime priti ndërrimin jashtë, ndërsa unë isha në gjumë. Ëndrra më iku nga duart, mistika u zhbë dhe zemra ime u thye, në gjumë. Padyshim këtë nuk e vuaj çdo ditë, madje nuk e kujtoj fare. Por, kur papritur fillon kënga e gabuar (ose e duhur, varet nga këndvështrimi) më kujton ëndrrën që humba në gjumë, frikësohem se mos ndoshta kjo është një metaforë e ligë. Njëlloj si fakti që nuk kam parë oqeanin.

Nuk më mërzit fakti që nuk kam parë oqeanin, sepse kam parë gjëra plot. E di që nuk është përparësi, nuk është as nevojë madje. Por në momentin e papritur dëgjoj tekstin e gabuar (ose te duhur, varet nga këndvështrimi), dëgjoj përvojën që nuk e kam pasur dhe shoh pamjen që në fakt nuk e kam parë. Dëgjoj valët. Tmerrohem se mund ta humbas oqeanin në gjumë. Kënga që po luhet ka një tingull që mund të shijohet vetëm pranë oqeanit dhe pa qenë aty, kuptoj që jam duke humbur shumë… Kuptoj që ndoshta nuk ka nevojë të fle gjumë si atëhërë në vigjiljen e mijëvjecarit për të humbur shanset, por mund të jem në gjumin e rrezikshëm të konformitetit dhe përditshmërisë. Ky është lloji më i keq i gjumit, sepse këtu nuk je fare i ndërgjegjshëm. Mendon se është zgjedhja jote të mos kujdesesh për të parë oqeanin, por muzika e papritur të thotë se realiteti nuk është jeta që po jeton, por gjumi dhe se vendimi yt mund të mos jetë marrë në vetëdija, por gjatë makthit.

Kuptoj që ky fenomen më bën dëm. Ama e toleroj sepse më bekon me humbëtirën ku më fut, që të përjetoj gjëra që nuk i njoh. Humbas dhe duke humbur vij këtu, ulem dhe kaloj një javë apatike, pa dobi, a thua se jam në gjumë.